Saturday, September 22

Politikanët pa parime – nga një parti në tjetrën në kërkim të pushtetit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Përveç Donika Kadaj-Bujupi, që kaloi sot nga Lëvizja Vetëvendosje duke u rikthyer prarpë në Alenacën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), skena politike në Kosovës ka përjetuar të tilla lëvizje edhe më parë.

Një gjë të tillë e kishte bërë edhe ish-deputetja Melihate Tërmkolli.

Ajo pas paknaqësisë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kishte vendosur që ta braktisë këtë parti, duke u bërë pjesë e AAK-së së Ramush Haradinajt.

Por, pas qëndrimit disa vjeçar në këtë parti, ajo kishte vendosur që prapë të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Arsyetimi për një gjë të tillë, ajo kishte thënë se e kishte bërë për shkak se LDK tashmë nuk ishte në gjendjen, që sipas sa,j e kishte krijuar ish-kryetari i saj Fatmir Sejdiu.

Njëjtë kishte bërë edhe biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi. Madje, ai për dy vjet kishte ndërruar tri parti të ndryshme politike. Kelmendi, para disa viteve ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe në atë kohë për të, Ramush Haradinaj ishte më i duhuri për kryeministër të vendit.

Por, pas rrugëtimit disa vjeçar me këtë parti, ai në zgjedhjet e vitit 2014 kishte vendosur që të garojë për ulësen e deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, që në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

E Kelmendi që gjatë gjithë fushatës e kishte prezantuar planin e tij për zhvillim ekonomik, kishte thënë se me të aderuar në PDK, ka parë që në këtë parti do ta realizojë planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

As kjo nuk ishte ndodhur. Kelmendi që trumbetonte idenë se do të bëhej ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Thaçit nuk e kishte arritur.

Pas krizës politike, kryeministër ishte bërë Isa Mustafa e ai kishte mbetur jashtë kabinetit qeveritar.

Kishte qëndruar në PDK duke kërkuar gjithandej nëpërmjet intervistave në media se nëse nuk do të bëhej zëvendëskryeministër i Qeverisë do të dilte nga Partia Demokratike e Kosovës.

Thaçi që e kishte sjellë në PDK Kelmendin, ishte bërë president i vendit ndërsa kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli nuk e shihte si person që do të merrte këtë post.

“Dorëheqja ime vie pasi që vizioni im për zhvillim ekonomik të Kosovës mu pamundësua”, ishte arsyetuar Kelmendi pas disa deklaratave se “po bëhem zëvendëskryeministër, s’po bëhem zëvendëskryeministër”.

E kur Kelmendi nuk kishte arritur që përmes PDK-së të bëhet zëvendës kryeministër – pozitë që aq shumë e kishte dashur – ai merr vendim që të kalojë në LDK-në e Isa Mustafës.

Kjo përshkak se kjo parti, i kishte premtuar dhe kishte arritur që ta bëjë zëvendëskryeministër, në kohën sa Mustafa mbante postin e shefit të qeverisë. Kelmendi me LDK-në, në zgjedhjet e vitit 2017, kishte arritur që përsëri të bëhej deputet i Kuvendit të Kosovës.

Mimoza Kusari-Lila, karrierën politike e kishte nisur si anëtare e AKR-së. Ajo, me këtë parti, arriti që të bëhet deputete e Kuvendit dhe postin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë.

Po ashtu si kandidate e AKR-së, Kusari-Lila fitoi garën për kreun e Komunës së Gjakovës. U largua nga partia e Behgjet Pacollit, dhe së bashku me Ilir Dedën, formuan partinë e re. Me këtë parti dhe në koalicion me LDK-në dhe AKR-në, Kusari-Lila u bë deputete e Kuvendit. Por, humbi garën për mandatin e dytë si kryetare e Gjakovës.

Edhe Alma Lama, pasi ishte bërë deputete si anëtare e Vetëvendosjes, kishte vendosur që ta braktisë këtë parti, për t’iu bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lama sikurse me LVV-në, po ashtu edhe përmes LDK-së, kishte arritur që t’i sigurojë votat për të qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Ukë Rugova, i biri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, i kishte hyrë garës në vitin 2010, në listën e AAK-së. Ai së bashku me Dardan Gashin dhe Astrit Haraqinë, kishte themeluar një parti politike, që quhej “Lista Ibrahim Rugova.

Bashkimi i tyre në listën e përbashkët me AAK-në, i kishte sjellë Rugovës postin e deputetit. Pas një kohe, sa qëndroi në Grupin Parlamentar të AAK-së, Rugova kishte vendosur që më në fund të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të AKR-së së Behgjet Pacollit.

Largimin nga një parti në tjetrën e ka përjetuar edhe Hydajet Hyseni. Ai nga PDK kishte kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndryshe nga Hyseni, Afrim Hoti dhe Afrim Kasolli, braktisën Lëvizjen Vetëvendosje, për t’u anëtarsuar në Partinë Demokratike të Kosovës.

E si duket edhe deputetët që u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje, do të veprojnë njëjtë sikur Limaj dhe Krasniqi. Tashmë 12 deputetët që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë kërkuar zyrtarisht formimin e Grupit Parlamentar të ndarë nga kjo parti. Ata pritet që pasi të ndahen si Grup Parlamentar, ta formojnë edhe partinë e re.

...

Share.

Leave A Reply